Në xhunglën e Bolivisë



Në xhunglën e Bolivisë,
në një vend të quajtur Beni
ka vetëm një qiri,
një rrjetë mushkonjash mbi shtrat,
një çarçaf, dhe dy fotografi

Qiriri ndriçon natën e errët,
rrjeta mbulon trupin tim të shtrenjtë,
çarçafi fsheh hiret kurioze të femrës,
fotografitë mbartin kujtime nga një tjeter jetë

Në xhunglën e Bolivisë koha ndalon,
fshihet pas saj një mister i madh,
shpirti im kridhet në këngën e zogjve të natës,
e ndërsa hëna e plotë ndriçon plagët e zemrës,
mendja vazhdon udhëtimin e saj

Jam vetëm unë dhe një macush
në gjithë këtë errësirë,
por edhe pse, krijesat e vyera të saj,
xhungla i fsheh bukur
një cep i shpirtit tim i njeh mjaft mirë

Arrij ti ndiej, s'jam më e mpirë!

Në xhunglën e Bolivisë
erdha të shëroj zemrën time të thyer
të gjej gjilpërën dhe perin për të qepur plagët e saj
të reja, të vjetra, të moçme
dhoma të harruara, të ftohta,
me dyer mbyllur, plot kyçe
kur i hapa gjeta të gjitha këto krijesa pa faj

I ushqeva një nga një përbindëshat
në dhomat e qënies sime,
i përkëdhela pa ngut, pa ankth,
pastaj i lava, i kreha, i zbukurova bashkë me yjet
e i lëshova drejt fatit,
drejt xhunglës,
drejt hënës,
i lashë të vrapojnë të lirë,
skaj më skaj

E kur hëna i ndriçoi një mbrëmje
kuptova se përbindëshat nuk ishin aspak të tillë
paskëshin qënë thjesht momente,
kur dashuria kish munguar
dhe ish ngurtësuar dëshira në shpirt

Vraponi u thashë,
mos kini frikë,
jeni të lirë, jemi të lirë
U ç'kyçën dhomat e harruara në errësirë
e unë sot lejoj jetën të më përpijë

Në xhunglën e Bolivisë
ka vetëm një qiri
mjafton flaka e tij
për të ngrohur
shpirtin tim
të dlirë.

Comments

Popular Posts